
Kreu i LDK-së thotë se Rugova ndërtoi autoritet mbi besim dhe jo frikë, duke u bërë pikë referimi për qytetarët.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për arsyet pse presidenti historik Ibrahim Rugova gëzonte mbështetje të gjerë popullore, duke theksuar se qytetarët e ndiqnin sepse ai u jepte siguri dhe besim.
Sipas Abdixhikut, Rugova nuk kërkoi asnjëherë të sundojë, por të shërbejë. Ai nuk e ndërtoi autoritetin mbi frikë, por mbi marrëdhënie besimi me qytetarët. “Njerëzit nuk e ndiqnin sepse i trembte, por sepse u jepte siguri. Dhe kjo është forma më e lartë e udhëheqjes: të jesh pikë referimi, jo burim ankthi”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku theksoi se stili i Rugovës ishte shpesh i keqkuptuar në kohën e vet. Ai dukej i qetë në periudha të trazuara, i butë në kohë të ashpra dhe i heshtur mes zhurmës politike. Megjithatë, sipas tij, kjo qasje nuk ishte dobësi, por strategji e menduar mirë.
“Sot e dimë se ajo qetësi ishte forcë, ajo butësi ishte strategji dhe ajo heshtje ishte zgjedhje politike, jo mungesë mendimi. Sot e kuptojmë sa pak e kemi kuptuar atëherë”, ka përfunduar Abdixhiku.



