AUV-i asgjëson mbi 21 mijë kilogramë produkte mishi të ELKOS-it, vazhdon tërheqja e sasive të tjera

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se janë asgjësuar edhe 21 mijë e 226 kilogramë produkte ushqimore të operatorit ekonomik ELKOS SH.P.K.

Produktet janë tërhequr nga operatori dhe janë asgjësuar më 30 tetor, nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-it.

Sipas evidencës, në mesin e produkteve të asgjësuara janë mushkëri dhe kofshë pule, mish pule, mish i grirë, mish gjedhi dhe produkte të tjera të mishit e ushqimore.

Kjo masë pason urdhrin fillestar të AUV-it për ndalimin e shitjes, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e 3 mijë e 130 kilogramëve kofshë pule të ngrira, pasi në to ishte konstatuar prania e mykut.

AUV-i ka bërë të ditur se procesi i gjurmueshmërisë dhe grumbullimit të sasive të tjera po vazhdon, veçanërisht për produktet tek të cilat janë konstatuar ndryshime të cilësive organoleptike, përfshirë praninë e mykut.

Produktet që identifikohen si të papërshtatshme për konsum do të ndalohen për shitje, do të tërhiqen nga tregu dhe do të asgjësohen.

AUV-i ka paralajmëruar se do të vazhdojë verifikimin e dokumentacionit të importit, kushteve të ruajtjes dhe zinxhirit të ftohjes, me qëllim të parandalimit të shitjes së produkteve të papërshtatshme për konsum.

Postimi i plotë:

Prishtinë, 2 Nëntor 2026

AUV asgjëson edhe 21,226 kg produkte mishi, vazhdon gjurmueshmëria dhe grumbullimi i sasive të tjera

Në zbatim të urdhëresës së Inspektoratit Veterinar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-120 për Ushqim, operatori ekonomik ELKOS SH.P.K. ka vazhduar procesin e gjurmueshmërisë dhe tërheqjes së produkteve ushqimore. Si rezultat, operatori ka tërhequr edhe 21,226 kg produkte ushqimore, të cilat janë asgjësuar më 30 tetor 2026, nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së.

Sipas evidencës së operatorit, produktet e evidentuara përfshijnë mushkëri dhe kofshë pule, mish pule, mish të grirë, mish gjedhi dhe produkte të tjera të mishit, si dhe produkte të tjera ushqimore. Këto masa pasojnë urdhrin fillestar të AUV-së për ndalimin e shitjes, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e 3,130 kg kofshë pule të ngrira, pas konstatimit të pranisë së mykut.

Procesi i gjurmueshmërisë dhe grumbullimit të sasive të tjera po vazhdon, veçanërisht për produktet tek të cilat janë konstatuar ndryshime të cilësive organoleptike, përfshirë praninë e mykut. Produktet e identifikuara si të papërshtatshme për konsum do t’u nënshtrohen masave përkatëse të ndalimit të shitjes, tërheqjes dhe asgjësimit.
AUV do të vazhdojë mbikëqyrjen e procesit, verifikimin e gjurmueshmërisë, dokumentacionit të importit, kushteve të ruajtjes dhe zinxhirit të ftohjes, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe parandalimin e vendosjes në treg të produkteve të papërshtatshme për konsum njerëzor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.