
Dyshime për mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet, Departamenti i Krimeve të Rënda nis mbledhjen e provave.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të grumbullojë informata dhe të evidentojë shkelje të mundshme gjatë procesit të rinumërimit të votave në komunën e Drenasit, pas konstatimit të disa mospërputhjeve në rezultatet e kandidatëve për deputet.
Sipas njoftimit zyrtar, autorizimi është lëshuar nga Departamenti i Krimeve të Rënda me qëllim sigurimin e provave dhe sqarimin e plotë të rrethanave që lidhen me këtë proces.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, duke përcjellë në vazhdimësi procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28.12.2025, ka vërejtur mospërputhje lidhur me rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të procesit të rinumërimit në komunën e Drenasit. Marrë parasysh këtë rrethanë, prokurori i shtetit sot ka lëshuar autorizim Policisë së Kosovës me qëllim grumbullimin e informatave dhe evidentimin e shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës, si dhe sigurimin e provave lidhur me këtë çështje”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit po e përcjell nga afër procesin e rinumërimit edhe në komunat e tjera që bien në kompetencë të kësaj prokurorie. Pas përfundimit të rinumërimit, do të analizohen të gjitha rrethanat dhe do të shqyrtohet mundësia e ndërmarrjes së veprimeve të tjera hetimore.
Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e dukurive negative dhe në mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes votës së lirë, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës.



