Hoti e Bajrami nuk pajtohen për lidershipin e ri të LDK-së: Hoti propozon Shalën kryetar e Bajramin për kryeministre, por ajo synon vetë garën për kreun e partisë

Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami, ndonëse të dy kundërshtojnë kursin e Lumir Abdixhikut dhe janë pjesë e gjashtë deputetëve të LDK-së që kanë refuzuar ta votojnë Bekim Sejdiun për president, nuk kanë të njëjtin vizion për lidershipin e ardhshëm të partisë.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se synon të garojë në zgjedhjet e ardhshme të brendshme të partisë.

banner

Në “Rubikon” të Klan Kosovës, ajo tha se nuk do ta pranonte kandidaturën për kryeministre nëse LDK-në do ta udhëhiqte dikush tjetër.

“Nuk do të pranoja që të isha kandidate e LDK-së për kryeministre në qoftë se partinë do ta udhëhiqte dikush tjetër”, deklaroi Bajrami.

Ajo tha se zgjedhjet e brendshme të LDK-së, sipas planit, pritet të mbahen në shtator ose nëntor të vitit 2027 dhe se, nëse deri atëherë nuk ka ndryshime pozitive dhe gara është e hapur e fer, do të jetë njëra prej kandidateve.

“Në qoftë se nuk ka ndryshime pozitive, në situatën në të cilën jemi, nëse ka garë fer dhe të hapur unë do të jem njëra prej kandidateve”, tha Bajrami.

Ndryshe nga ajo, Avdullah Hoti ka paraqitur një formulë tjetër për lidershipin e ardhshëm të LDK-së.

Në “Debat Plus”, Hoti tha se angazhimi i tij politik është që në zgjedhjet e ardhshme partisë t’i prijë Kujtim Shala, ndërsa Hykmete Bajrami të jetë bartëse e listës dhe kandidate për kryeministre.

“Angazhimi im politik është që në zgjedhjet e ardhshme t’i prijë Kujtim Shala dhe jo unë. Angazhimi im dhe i kolegëve të mi është që bartëse e listës të jetë Hykmete Bajrami”, tha Hoti.

Sipas Hotit, formula e lidershipit të ri do të ishte: Kujtim Shala kryetar i LDK-së dhe Hykmete Bajrami kandidate për kryeministre, pa e përjashtuar Lumir Abdixhikun nga strukturat e partisë.

Qëndrimet e tyre tregojnë se, përkundër afërsisë në kundërshtimin ndaj marrëveshjes për Bekim Sejdiun, Hoti dhe Bajrami nuk janë në një linjë për mënyrën se si duhet të duket udhëheqja e ardhshme e LDK-së.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.