Rama: Rezultati i zgjedhjeve s’pasqyron vullnetin e qytetarëve, pati blerje votash dhe ndikim te diaspora

Kryetari i Prishtinës akuzon për pagesa nga 100 euro para votimit dhe thotë se rezultati nuk pasqyron vullnetin e qytetarëve.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku Lëvizja Vetëvendosje doli bindshëm e para, duke i cilësuar ato si “jo reale” dhe rezultat të manipulimeve.

banner

Në një intervistë në emisionin Frontal në T7, Rama deklaroi se ka pasur ndërhyrje serioze në procesin zgjedhor, përfshirë, sipas tij, edhe blerje votash.

“Unë mendoj që zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë zgjedhje reale. Numrat që i kemi sot janë rezultat i një manipulimi të votave, një blerje votash. E dimë që vetëm 3-4 ditë para zgjedhjeve ka pasur pagesa nga 100 euro për një numër të madh të qytetarëve të Kosovës”, tha Rama.

Ai akuzoi kryeministrin Albin Kurti se ka shfrytëzuar, siç u shpreh, “popullin më të varfër në Evropë”, duke ndikuar në rezultatin zgjedhor.

Sipas Ramës, rezultati përfundimtar nuk përfaqëson vullnetin real të qytetarëve të Kosovës. Ai përmendi edhe votat e diasporës, duke theksuar se shumë mërgimtarë jetojnë me frikën e një rikthimi të tensioneve me Serbinë dhe ndikohen nga retorika për investime në armatim.

“Shumë prej tyre ndoshta jetojnë me këtë frikë se do ta kemi një riokupim nga Serbia. Ndërkohë, vendi përballet me probleme serioze në arsim, shëndetësi dhe kosto të lartë të jetesës, përfshirë rritjen e çmimit të energjisë elektrike”, u shpreh ai.

Në fund, Rama tha se rezultati i zgjedhjeve të fundit mund të ketë qenë i papritur edhe për vetë Kurtin.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.