Gjykata Kushtetuese vendos: Zgjedhja e nënkryetarit serb ishte antikushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se procedura e zgjedhjes së Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb nuk ishte në përputhje me Kushtetutën. 

Kushtetuesja i është përgjigjur Listës Serbe e cila qe ankuar në kohën kur ishte zgjedhur Nenad Rashiq nënkryetar i Kuvendit.

banner

Në vendim thuhet se vendimi për zgjedhjen e Rashiqit nuk ishte në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 dhe paragrafin 7 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në aktgjykim është thënë se zbatimi i mekanizmave të debllokimit në një mënyrë që do t’i mundësonte shumicës së deputetëve të Kuvendit ta përcaktojnë përfaqësuesin e një komuniteti që nuk është shumicë, pa propozimin e deputetëve të atij komuniteti, në thelb do të përbente anashkalim të garancive formale të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.

Kjo për arsye se, propozimi i kandidatëve për nënkryetarë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë është e drejtë e shumicës së deputetëve të atyre komuniteteve. Ky parim ka rëndësi veçanërisht duke pasur parasysh përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilët nuk i kanë votat e nevojshme për të siguruar zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në Kryesinë e Kuvendit”, thuhet në vendim. 

Kushtetuesja ka vlerësuar se zgjedhja e Nenad Rashiqit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb.

“Në aplikimin e parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, Gjykata, siç ka sqaruar në Aktgjykim, arriti në përfundimin se shumica e deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit për nënkryetar të Kuvendit, respektivisht, anëtar të Kryesisë së Kuvendit, duke propozuar nëntë kandidatë. Për pasojë, zgjedhja e deputetit  Nenad Rashiq në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit Serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.