Abdixhiku: Demokraci maksimale në LDK, vota e lirë është themeli i besimit

Kryetari i LDK-së thotë se procesi i votimit dëshmoi standard demokratik, ndërsa bën thirrje për bashkim, maturi dhe ringritje të përbashkët të partisë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar procesin e votëbesimit në Kuvendin e partisë si dëshmi të “demokracisë maksimale”, duke theksuar se vota e lirë dhe e fshehtë mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet besimi brenda LDK-së.

banner

Përmes një reagimi në Facebook, Abdixhiku u shpreh se demokracia nuk duhet të mbetet vetëm fjalë, por të dëshmohet përmes akteve konkrete përgjegjësie dhe respekti për secilin delegat.

“Jo si fjalë e madhe, por si akt përgjegjësie. Si provë se vota e lirë është themeli mbi të cilin ndërtohet besimi. Votë e fshehtë, vendim i lirë, respekt për secilin delegat; kjo është mënyra jonë e të qenit politikë, pa frikë dhe pa imponim”, ka thënë Abdixhiku.

Ai theksoi se rezultati nuk është arsye për triumf, por për reflektim dhe vetëdije, duke shtuar se LDK duhet të ruajë standardet demokratike dhe vlerat që përfaqëson.

“Sot nuk kemi arsye për triumf, por për vetëdije. Krenarë për standardin që ruajtëm dhe për vlerën që përfaqësojmë”, u shpreh ai.

Kryetari i LDK-së bëri thirrje për bashkim dhe punë të përbashkët, duke theksuar nevojën për maturi, dëgjim dhe përulësi në funksion të ringritjes së partisë.

“Tani kemi misionin e ringritjes përpara. Faleminderit secilit për besimin. Kjo përgjegjësi na obligon të ecim si të vërtetë”, përfundoi Abdixhiku.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.