PDK mobilizon strukturat për marshin “Drejtësi, jo politikë!” më 17 shkurt

Partia nis mobilizimin në të gjitha strukturat dhe kërkon drejtësi të paanshme për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur mbështetjen për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë!”, i cili do të organizohet nga platforma “Liria ka Emër” më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

banner

Përmes një postimi në Facebook, PDK ka bërë të ditur se ka nisur mobilizimin në të gjitha strukturat partiake në mbarë vendin, me qëllim të përfshirjes sa më të gjerë të qytetarëve për një pjesëmarrje masive në marsh.

Sipas njoftimit, partia e konsideron këtë organizim si një thirrje të ligjshme dhe paqësore për drejtësi të paanshme, në mbrojtje të luftës çlirimtare të Kosovës dhe ish-udhëheqësve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre – të cilët po përballen me procese gjyqësore në Hagë.

“PDK kërkon drejtësi të plotë, të barabartë dhe larg çdo ndikimi politik, sidomos në këtë periudhë kur procesi ka hyrë në fazën përmbyllëse”, thuhet në reagim.

Tutje, partia rithekson se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare, e lindur nga nevoja për liri dhe dinjitet, duke shtuar se çdo përpjekje për ta relativizuar këtë të vërtetë historike përbën padrejtësi ndaj sakrificës së popullit të Kosovës.

Në fund, PDK u ka bërë thirrje qytetarëve që, në frymën e unitetit dhe respektit institucional, të bashkohen në Prishtinë më 17 shkurt për të kërkuar drejtësi dhe për të nderuar sakrificën çlirimtare mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.