Filozofi Sead Zimeri: Nuk na duhet Mossad-i për ta shpjeguar Epstein-in – mjafton pabarazia shoqërore

Shkruan: Sead Zimeri

Kam rezerva të mëdha, si politike ashtu edhe morale, ndaj idesë se Epstein ishte agjent i Mossad-it. E kuptoj tundimin. Kur përballemi me një rrjet kaq të gjerë pushteti, me lidhje që shtrihen përtej kufijve shtetërorë, mendja kërkon një qendër të fshehtë koordinimi, një dorë që kontrollon gjithçka. Por kjo është pikërisht logjika e teorisë konspirative: supozimi se kompleksiteti i realitetit duhet reduktuar në një agjent të vetëm, me kontroll pothuajse total.

banner

Asnjë organizatë, sado e fuqishme, nuk ka fuqi të tilla. Kjo lloj imagjinate politike i atribuon koherencë dhe unitet atje ku në fakt kemi interesa të ndërthurura, por jo të unifikuara në mënyrë të plotë.

Këto teori janë problematike në dy nivele të ndryshme.

Së pari moralisht, sepse ushqejnë paragjykime kolektive si antisemitizmi. Duke i dhënë një agjencie shtetërore izraelite një fuqi pothuajse mitike, diskursi kalon lehtësisht nga analiza politike në stereotipe kolektive, ku një popull ose një grup i tërë paraqitet si qendër e fshehtë manipulimi global. Kjo nuk është vetëm analizë e gabuar, por historikisht e ngarkuar me pasoja shumë të rënda.

Së dyti epistemikisht, sepse shtrembërojnë mënyrën si e kuptojmë pushtetin. Ato e reduktojnë realitetin social në komplot, në vend që ta analizojnë si strukturë. Në vend që të pyesim si funksionon pushteti përmes pasurisë ekstreme, rrjeteve elitare, imunitetit praktik ndaj ligjit dhe solidaritetit klasor, ne e zëvendësojmë analizën me figurën e një agjenti të fshehtë që “i bën të gjitha”. Kështu mbyllet kërkimi i mëtejshëm dhe krijohet iluzioni i shpjegimit total.

Kjo zhvendos edhe përgjegjësinë. Nëse gjithçka shpjegohet nga një shërbim sekret, atëherë pjesëmarrësit e tjerë shfaqen si të manipuluar, si figura dytësore në një lojë më të madhe. Por kjo është një formë shfajësimi. Ata pjesmarrës nuk ishin pasivë, por vepronin me vetëdije të plotë brenda një mjedisi pushteti që u ofronte imunitet praktik dhe që kishte normalizuar disa forma shfrytëzimi.

Nuk kemi nevojë për Mossad-in për ta shpjeguar këtë. Mjafton një lexim që nis nga pabarazia e pushtetit dhe pozicioni shoqëror. Ekziston një shtresë njerëzish që e sheh veten mbi ligjin, që ka burimet për të shmangur pasojat dhe që lëviz në rrjete transnacionale pushteti. Epstein ofroi një shërbim për këtë mjedis, jo sepse ishte pjesë e një komploti total, por sepse kishte kuptuar logjikën e kësaj bote.

Futja e një hipoteze konspirative nuk e përforcom shpjegimin, por e komplikon artificialisht analizën. Ajo bie ndesh me atë që në filozofi njihet si parimi i Ockham-it, ideja se nuk duhet të shumëzojmë entitete përtej nevojës, kur fenomeni mund të kuptohet me mjete më të thjeshta dhe të përshtatshme. Nëse kemi tashmë në dispozicion elementë shpjegues si pabarazia ekstreme e pushtetit, rrjetet elitare transnacionale, imuniteti praktik ndaj ligjit dhe normalizimi i shfrytëzimit, atëherë shtimi i një agjencie sekrete si shkaku qendror nuk e thellon shpjegimin, por e zhvendos atë në territor spekulativ.

Kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që i përkasin kësaj shtrese janë njëlloj moralisht të korruptuar. Por pozicioni i tyre strukturor kultivon një raport më fleksibël me normat, sidomos kur bëhet fjalë për ata që nuk janë pjesë e rrethit të tyre. Ata mund të jenë shumë të rreptë në marrëdhëniet mes tyre, por shumë më tolerantë ndaj shkeljeve që bien mbi ata pa pushtet.

Një analizë që nis nga struktura e pushtetit dhe pabarazisë është e mjaftueshme. Konspiracioni nuk shton asgjë. Ajo që kjo analizë kërkon prej nesh nuk është imagjinatë konspirative, por vetëdije klasore: të kuptuarit se jetojmë në një sistem ku pozicioni në hierarkinë e pasurisë dhe pushtetit ndikon në mundësitë, në imunitetin praktik dhe në mënyrën si zbatohen normat morale.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.