
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka folur për procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke e cilësuar atë si më të rëndë nga sa ishte parashikuar në kohën kur u themelua Gjykata Speciale.
Mustafa, nën drejtimin e të cilit Kuvendi i Kosovës votoi ndryshimet kushtetuese për krijimin e Dhomave të Veçanta më 3 gusht 2015, tha se në atë periudhë nuk ishte pritur që procesi të ishte kaq i gjatë dhe i vështirë.
Në një prononcim për Klan Kosova, ai deklaroi se vendimi për themelimin e gjykatës ishte marrë në rrethana kur Kosovës i ishte bërë e qartë se, nëse nuk e krijonte vetë këtë mekanizëm, atëherë do të vepronte Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.
“Është një proces shumë i rëndë, procesi është i tillë që nuk e ka paramenduar askush sepse unë kam qenë kryeministër i Kosovës kur është vendosur mbi ndryshimet kushtetuese për themelimin e Dhomave të Veçanta dhe kur i është dhënë përkrahje kësaj gjykate. Marrë parasysh se neve na është bërë e qartë se nëse nuk e bën Kosova këtë gjykatë do ta bëjë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara”, tha Mustafa.



