Sot takoi Hamzën, nesër Abdixhikun – Kurti hap negociatat për zgjedhjen e presidentit

Çështja e zgjedhjes së presidentit duket se ka hyrë fuqishëm në agjendë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Kur kanë mbetur edhe 10 ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, Kurti ka çelur negociatat për këtë temë me partitë opozitare, shkruan Gazeta Politika.

Kurti ka bërë hapin e parë. Gjatë ditës së diele, Kurti ka mirëpritur kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, në Zyrën e Kryeministrit në objektin e Qeverisë së Kosovës.

banner

Në njoftimin e Kryeministrisë theksohet se temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së presidentit. Pas takimit të sotëm me Hamzën, Kurti nesër pritet të takohet edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“U diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës sonë dhe pluralizmit partiak e demokratik. Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit, për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm. Kryeministri Kurti nesër do të takojë Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, transmeton Gazeta Politika.

Në lidhje me takimin e sotëm me Kurtin, Hamza ka shkruar se zgjedhja e presidentit të Kosovës nuk është çështje vetëm e një partie politike. Tutje, Hamza shkroi se interesi shtetëror është mbi çdo kalkulim politik.

“Zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë neve si përfaqësues të zgjedhur të popullit. Për këtë arsye, sot iu përgjigja pozitivisht ftesës së z. Kurti për të diskutuar për zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit” – shkroi Hamza, transmeton Gazeta Politika.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.