Kurti: Më 7 qershor na duhet rekord i ri

Lëvizja Vetëvendosje e ka koncentruar aktivitetin paraelektoral në Dukagjin, në ditën e dytë të fushatës. Në Pejë, kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, i cili synon mandatin e ri në krye të Qeverisë, ka ftuar pejanët për mbështetje masive me qëllimin për të thyer rekord të ri rezultati.

Këtë e kërkoi, pasi listoi projektet që planifikon t’i realizojë në këtë komunë, e për të cilën tha se përpos kryeqytet të artit e turizmit, do të bëhet edhe kryeqytet i bujqësisë.

banner

“Për t’i bërë të gjitha këto, më 7 qershor na duhet një rekord i ri i fitores sonë. Se fitorja është e padiskutueshëm, por të dashur qytetarë kur nuk ju mjafton 51.1 për qind, e kjo është 9 për qind më shumë se me 9 shkurt, me 7 qershor t’ia shtojmë edhe 9 për qind të tjerë, e ndoshta 60 për qind ju mjafton”, ka thënë Kurti, para mbështetësve.

Ai ka akuzuar partitë oponente për zgjedhjet e parakohshme dhe ka thënë se me veprimet që kanë bërë në Kuvend, kanë sjellë bllokadë dhe kanë shkaktuar dëm financiar për Kosovën.

“Përkundër entuziazmit e gëzimit që kemi, që është i pamohueshëm në prag të fitores së radhës, nuk kemi se si mos t’ia shtrojmë njëri-tjetrit e vetvetes pyetjen pse jemi në zgjedhje katër muaj pasi që u formua qeveria jonë. Populli si burim sovraniteti, republikë demokratike, na dha mandatin për katër vjet, e jo për katër muaj”, ka thënë Kurti.

Gjatë fjalimit, ai ka folur për punët e bëra gjatë qeverisjes së vendit prej LVV-së, ka listuar premtimet dhe ka bërë edhe krahasime me qeveritë e kaluara. Por, ka dhënë zotimin se pas mandatit të ri, më nuk do të krahasohet me qeveritë e udhëhequra nga parti të tjera.

“Ka ndonjë qytetarë që ndonjëherë aq shumë bezdisej kur dëgjonte për të kaluarën e hidhur e përvojën e mbrapshtë me ata para nesh, sa më thoshte: ‘Albin, mos u krahaso fare me ta’. Tash, ‘ne njëmend nuk krahasohemi me ta’. Ne e krahasojmë mandatin tonë të ardhshëm veç me mandatin që shkoi. Por, nganjëherë, neve na duhet që shkurtimisht të krahasohemi me ta se edhe ata i kanë do numra tjerë te ajo lista, nuk është vetëm numri 116, apo jo”, ka pyetur Kurti.

Kurt ka mbyllur fjalimin duke thënë se nevojitet mbështetje e madhe.

“Me 27 dhjetor nuk keni lëshu pe. Më 7 qershor qitjani pikën”, ka thënë ai./Koha

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.