Çitaku për gazin amerikan: Kosova nuk bëhet më e fortë duke i kthyer shpinën Amerikës

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se debati për projektin e gazit amerikan nuk lidhet vetëm me energjinë, por edhe me raportin që Kosova ndërton me aleatin e saj kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në Facebook, Çitaku rikujtoi rolin e SHBA-së në momentet kyçe të historisë së Kosovës, duke përmendur ndërhyrjen e NATO-s, procesin e njohjeve dhe mbështetjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

banner

“Marrëdhënia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është aleancë e ndërtuar mbi besim, sakrificë dhe vendime të mëdha historike”, shkroi ajo.

Sipas Çitakut, refuzimi i projektit energjetik amerikan nuk duhet parë vetëm si çështje teknike.

“Nuk është çështja vetëm te gazi. Është çështja e mesazhit që po u dërgojmë aleatëve tanë më të rëndësishëm. Është çështja e mënyrës se si sillemi me miqtë që, sa herë historia na vuri përballë sprovave, nuk na lanë vetëm”, theksoi ajo.

Çitaku shtoi se, sipas saj, Kosova nuk forcohet duke refuzuar projekte të mbështetura nga SHBA-ja.

“Kosova nuk bëhet më e fortë duke i kthyer shpinën Amerikës. Përkundrazi. Aleanca me Shtetet e Bashkuara nuk është barrë. Është garancia më e madhe strategjike që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës”, u shpreh ajo.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.