Çitaku thirrje kundër përçarjeve fetare: Kemi qarë, rezistuar dhe fituar bashkë – mos lejoni fenë të na ndajë

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë thirrje për ruajtjen e unitetit mes shqiptarëve, duke paralajmëruar kundër përçarjeve mbi baza fetare.

Në një postim, Çitaku ka kërkuar që qytetarët të ndalen dhe të reflektojnë para se ta shohin njëri-tjetrin si kundërshtar për shkak të fesë.

banner

“Aman, ndalnu pak. Ndalnu veç një minutë. Para se me shkru. Para se me sha. Para se me e pa tjetrin si armik. Mendoni”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka ngritur pyetjen se kush përfiton nga përçarja mes shqiptarëve.

“Kush na don të ndamë? Kush na don të përçamë? Kush fiton kur shqiptari e sheh shqiptarin si armik për shkak të fesë? Kemi kaluar tepër shumë si popull për me ra sot në këtë grackë”, ka thënë ajo.

Ajo ka rikujtuar edhe porosinë e rilindësve, duke shkruar: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Sipas Çitakut, shqiptarët nuk duhet të bëhen pjesë e konflikteve që nuk janë të tyre dhe as të lejojnë që përplasjet e të tjerëve të importohen në Kosovë.

“Mos u bëni mashë në beteja që nuk janë tonat. Mos i sillni luftërat e të tjerëve në shtëpitë tona. Mos lejoni që urrejtja e dikujt tjetër të bëhet urrejtja jonë”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka theksuar bashkëjetesën ndërfetare në Kosovë, duke thënë se katolikë, myslimanë, besimtarë dhe ateistë kanë kaluar së bashku periudhat më të vështira.

“Në ditët më të vështira nuk e kemi pyetur njëri-tjetrin si i lutemi Zotit, apo a i lutemi fare. Kemi pyetur: A je me mua? A je për liri? A je për Kosovën? Dhe kemi qenë bashkë”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, Kosova duhet të mbetet një vend ku dallimet fetare nuk shndërrohen në kërcënim.

“Një shtëpi ku kambana e kishës dhe ezani i xhamisë nuk janë kërcënim për njëri-tjetrin. Ku besimi është personal, por atdheu është i përbashkët”, ka thënë Çitaku.

Në fund, ajo ka bërë thirrje që shqiptarët të mos e ndajnë vetë njëri-tjetrin.

“Na kanë nda mjaft të tjerët përgjatë historisë. Mos ta ndajmë ne njëri-tjetrin”, ka përfunduar Çitaku.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.