Agon Maliqi pyet Kurtin: Pse nuk u ndërtua asnjë kapacitet i ri energjetik për gjashtë vjet?

Politologu Agon Maliqi ka ngritur pikëpyetje mbi politikën energjetike të Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar sqarime nga kryeministri në detyrë Albin Kurti lidhur me mungesën e investimeve në kapacitetet e reja energjetike.

Në një reagim në Facebook, Maliqi tha se, edhe nëse lihet mënjanë debati për projektin e gazit amerikan, qeveria duhet të shpjegojë pse gjatë gjashtë viteve të saj në pushtet nuk është ndërtuar asnjë kapacitet i ri domethënës për prodhimin e energjisë.

banner

“Ta lëmë anash gazin amerikan për një moment dhe ta marrim të mirëqenë – për hir të debatit – argumentin qeveritar se nuk po na u dashka. A e kanë ndonjë shpjegim Albin Kurti dhe zëdhënësit e tij mediatikë se përse asnjë kapacitet i ri domethënës nga burimet e ripërtëritshme nuk është ndërtuar dhe as nuk ka nisur së ndërtuari këto gjashtë vite që ai është kryeministër?”, ka shkruar Maliqi.

Ai ka theksuar se dy parqet e energjisë me erë, të inauguruara nga Qeveria Kurti, ishin miratuar në kohën e Qeverisë Haradinaj, ndërsa ka përmendur edhe parkun solar në Rahovec, i cili sipas tij, megjithëse iu dha një biznesi të diasporës në vitin 2024, ende nuk ka nisur zbatimin.

Maliqi ka pyetur gjithashtu se si shpjegohet, sipas tij, ngadalësia në zhvillimin e projekteve energjetike dhe rritja e varësisë së Kosovës nga importi i energjisë elektrike.

“Si shpjegohet kjo ngathësi dhe kjo neglizhencë ndaj sigurisë energjetike që na e ka rritur varësinë prej importit? Deri tani, në mungesë të ndonjë shpjegimi tjetër, i vetmi shpjegim bindës janë raportimet e panumërta për përfitime milionëshe nga tregtarët/importuesit e rrymës”, ka shkruar ai.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.