
James Rubin, ish-zyrtari i lartë amerikan dhe krahu i djathtë i Madeleine Albright, gjatë dëshmisë së tij mbrojtëse në Gjykatën Speciale për rastin e Hashim Thaçit, mohoi të ketë parë, qenë në dijeni ose të ketë ekzistuar një “Shtab i Përgjithshëm” i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si një institucion hierarkik dhe të rregullt ushtarak – një nga pretendimet kryesore të Prokurorisë Speciale.
“Nuk ka Shtab të Përgjithsëm që unë po e di. Si një strukturë e rregullt komanduese. Është keqpërfaqësim. Ta përshkruash si Shtab të Përgjithshëm më tingëllon absurde,” tha Rubin.
Duke iu referuar librit të Rexhep Selimit, ku flitet për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe pajtimin e tyre për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, Rubin sqaroi se ishin disa komandantë dhe liderë të luftës, por se “Shtab të Përgjithshëm” nuk do ta konsideronte si të tillë.
“E pasaktë, zoti gjykatës. Unë nuk di kurrë të ketë raportuar (Hashim Thaçi) te Shtabi i Përgjithshëm, kurrë s’kam vëzhguar ekzistencë të një Shtabi të Përgjithshëm. Çka e di është që Thaçit i duhet të konsultohej me liderët politikë dhe ushtarakë,” tha Rubin.



