
Gëzim Sveçla, shef i grupit të asamblistëve të LVV-së në Komunën e Prishtinës, ka deklaruar në emisionin se ambicia e Përparim Ramës për ta marrë drejtimin e LDK-së është e kahershme, por sipas tij, po mbështetet edhe nga PDK-ja.
“Qëllimi i tij për ta marrë LDK-në, mendoj që ka qenë i kahershëm, ndërsa tani, në vlerësimin tim personal, duke i njohur rrethanat dhe bashkëpunimet që ndodhin në Komunën e Prishtinës, mendoj që është shtyrë nga Partia Demokratike e Kosovës”, tha Sveçla.
Ai shtoi se Rama sot duket më afër PDK-së sesa LDK-së.
“Zoti Rama sot më shumë duket i PDK-së sesa që duket i LDK-së, për shkak se sot në Prishtinë më shumë pushtet ka PDK-ja sesa LDK-ja”, u shpreh ai.
Sipas Sveçlës, katër ndërmarrje kryesore të Prishtinës udhëhiqen nga njerëz të afërt me PDK-në, ndërsa së fundmi edhe Drejtoria e Urbanizmit i është besuar një ish-asamblisti të kësaj partie.
Sveçla tha se PDK-ja e mbështet Ramën për ta pasur më të lehtë politikisht.
“Mendoj që më shumë se dëshirë e zotit Rama, është dëshirë e vet PDK-së që Përparim Rama ta marrë në drejtim Lidhjen Demokratike të Kosovës”, tha ai.
Ai rikujtoi gjithashtu se Rama është zgjedhur dy herë kryetar i Prishtinës me votat e PDK-së.
“Dy herë Përparim Rama është zgjedhur kryetar i Prishtinës me votat e Partisë Demokratike të Kosovës. Pa Uran Ismajlin nuk do ta kishim Përparim Ramën kryetar”, tha Sveçla.
Sipas tij, nëse Rama merr drejtimin e LDK-së, kjo do t’i shërbente interesave të PDK-së.
“Përparim Rama kryetar i LDK-së do të thotë një PDK me dy degë”, përfundoi ai.



