
Një avion i kompanisë Air Serbia, i cili ishte nisur nga Beogradi drejt Moskës, është detyruar të kthehet në aeroportin “Nikola Tesla” për shkak të nevojës për kontrolle shtesë të sigurisë ndaj një pasagjeri.
N1, duke cituar portalin Nova.rs, ka raportuar se në avion dyshohet se ndodheshin politikani prorus Aleksandar Vulin, drejtori i kompanisë “Srbijagas”, Dušan Bajatović, dhe kryetari i Partisë Popullore Serbe, Nenad Popović.
Avioni i tipit Airbus A320, me numër fluturimi JU134, ishte nisur nga Beogradi në orën 18:48. Kur kishte arritur mbi jugun e Lituanisë, ai ndryshoi drejtimin dhe u kthye në Beograd, ku aterroi pak para orës 22:00.
Sipas burimeve të Nova.rs, Vulin dyshohet se ishte futur në avion pa iu nënshtruar kontrollit të sigurisë dhe se dikush e kishte ndihmuar për ta anashkaluar procedurën.
I njëjti burim pretendon se drejtori i sigurisë korporative të Aeroportit të Beogradit, Milan Kuč, kishte vërejtur në pamjet e kamerave se procedurat nuk ishin respektuar dhe kishte urdhëruar kthimin e avionit.
Air Serbia e ka konfirmuar kthimin e avionit, por nuk e ka bërë të ditur identitetin e pasagjerit.
“Avioni u kthye pasi kompania mori nga shërbimet kompetente të aeroportit një informacion që kërkonte kryerjen e kontrolleve shtesë të sigurisë lidhur me një pasagjer”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Air Serbia ka theksuar se vendimi për kthimin e avionit është marrë në përputhje me udhëzimet e autoriteteve dhe rregullat e sigurisë.
N1 ka raportuar se u ka dërguar pyetje Air Serbia-s, Aeroportit “Nikola Tesla” dhe Drejtoratit të Aviacionit Civil. Televizioni ka tentuar t’i kontaktojë edhe Vulinin dhe Bajatovićin, por ata nuk kanë qenë të qasshëm.
Prania e tre zyrtarëve në avion dhe pretendimi se Vulin e kishte anashkaluar kontrollin e sigurisë nuk janë konfirmuar zyrtarisht.



