
Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka reaguar pas kontrolleve të zhvilluara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në kompaninë “Vita”, duke theksuar se siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë operatorët ekonomikë.
Përmes një postimi, Muja tha se qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë konsumojnë dhe se kontrollet e AUV-së janë pjesë e mandatit të rregullt ligjor për mbikëqyrjen e zbatimit të standardeve të sigurisë ushqimore.
“Siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë. Qytetarët tanë duhet të dinë se çka hanë e çka pinë për të cilat edhe paguajnë”, shkroi ai.
Sipas ministrit, kontrollet verifikojnë respektimin e protokolleve të prodhimit, licencave, autorizimeve dhe përputhshmërinë e operatorëve ekonomikë me kërkesat ligjore.
Ai theksoi se qëllimi i vetëm i këtyre veprimeve është mbrojtja e interesit publik, garantimi i sigurisë së ushqimit, mbrojtja e konsumatorëve dhe krijimi i kushteve të barabarta për prodhuesit që respektojnë ligjin.
Muja shtoi se AUV ushtron të njëjtin mandat ndaj të gjithë operatorëve ekonomikë, pa dallim sektori, madhësie apo pozite në treg.
“Një sistem i besueshëm i kontrollit ushqimor ndërton besim te konsumatorët, mbron prodhimin vendor dhe forcon konkurrencën e ndershme në treg. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin”, përfundoi ai.
Postimi i tij i plotë:
Siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë. Qytetarët tanë duhet të dinë se çka hanë e çka pinë për të cilat edhe paguajnë.
Kontrollet që po zhvillon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit janë pjesë e mandatit të saj të rregullt ligjor për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit për Ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Njëjtë edhe kjo sot në kompaninë ‘Vita’
Këto veprime kryhen për të verifikuar respektimin e protokolleve të prodhimit, shkallën e zbatimit të normave ligjore, licencave dhe autorizimeve, si dhe përputhshmërinë e operatorëve ekonomik me kërkesat ligjore.
Qëllimi i vetëm i këtyre kontrolleve është mbrojtja e interesit publik. Ato shërbejnë për të garantuar sigurinë e ushqimit, për të mbrojtur konsumatorët dhe për të siguruar kushte të drejta për prodhuesit dhe përpunuesit që respektojnë ligjin.
AUV ushtron të njëjtin mandat në të gjitha segmentet e industrisë ushqimore. Kontrollet zyrtare zhvillohen ndaj operatorëve ekonomik pa dallim sektori, madhësie apo pozite në treg, sepse zbatimi i ligjit duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.
Një sistem i besueshëm i kontrollit ushqimor ndërton besim te konsumatorët, mbron prodhimin vendor dhe forcon konkurrencën e ndershme në treg. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin.



