
Mungesa e rrjetit të kanalizimit në Zajaz të Kërçovës, fshati i liderit të BDI-së Ali Ahmeti dhe i ish-zëvendëskryeministrit Musa Xhaferi, është bërë vazhdimisht temë debati në opinionin e Maqedonisë së Veriut.
Projekti i kanalizimit Zajaz–Drugovë u financua me mjete të Bashkimit Evropian dhe duhej të përfundonte në vitin 2024. Megjithatë, punimet u ndërprenë pasi kompania dhe banka nga Azerbajxhani që kishin fituar tenderin falimentuan, duke bllokuar projektin.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, deklaroi se, sipas dokumentacionit të BE-së, projekti figuron si i përfunduar në vitin 2024. Ai tha se do të mbahet një takim teknik për të shqyrtuar mundësinë e rifinancimit të projektit.
“Duhet të mbahet mbledhje teknike që të shohim se si mundet ky problem të zgjidhet, sepse neve si BE na figuron se ky projekt është përfunduar në vitin 2024, megjithatë nga ajo që mund të themi është se gjithmonë ekziston financim dhe ri financim për një projekt të këtillë dhe unë shpresoj se kryetari në muajt e ardhshëm do të mundet t’u përgjigjet konkretisht deri ku qëndron realizmi i projektit”, tha Rokas.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, deklaroi se ka marrë premtime nga Qeveria se projekti do të përfundojë sa më shpejt.
“Ky problem i shqetëson të gjithë qytetarët pa dallim etnik, probleme kemi në Zajaz, probleme kemi në Drugovë dhe në rrethinën e qytetit kështu që me ndihmën e qeverisë së VMRO-DPMNE-së dhe kryeministrit mora premtim se do ta zgjidhim sa më shpejt atë problem”, tha Jovanovski.
Mungesa e kanalizimit në Zajaz ka qenë objekt kritikash prej vitesh, duke pasur parasysh se BDI ka qenë pjesë e qeverisë qendrore gjatë periudhës 2022–2024, kur projekti duhej të realizohej, ndërsa këtë komunë e ka udhëhequr nga viti 2012 deri në vitin 2025, periudhë gjatë së cilës ky projekt mbeti i papërfunduar.



