Kurti: Kosova po shqyrton përdorimin e gazit të lëngshëm amerikan përmes terminalit të Vlorës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës po shqyrton mundësinë e përdorimit të gazit të lëngshëm natyror (LNG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes bashkëpunimit me Shqipërinë.

Gjatë ceremonisë së fillimit të ndërtimit të Parkut Solar Fotovoltaik me kapacitet 105 megavat në Kramovik të Rahovecit, Kurti tha se synimi është që gazi amerikan të shfrytëzohet përmes terminalit në Vlorë dhe jo përmes gazsjellësit.

banner

Po shqyrtojmë mundësinë për të përdorur gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës”, deklaroi Kurti, përcjell KOHA.

Ai falënderoi Qeverinë amerikane për mbështetjen në përgatitjen dhe dizajnimin e ankandit të parë solar në Kosovë, duke theksuar se ekspertiza amerikane ka ndihmuar në zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare dhe në rritjen e besimit të investitorëve.

Sipas Kurtit, projekti i parkut solar synon të rrisë prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe të forcojë sektorin energjetik të Kosovës.

Deklarata e tij vjen pak ditë pasi e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, përsëriti thirrjen që Kosova të hyjë në partneritet energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes gazit të lëngshëm natyror amerikan.

Sipas saj, diversifikimi i furnizimit me LNG amerikan do të rriste sigurinë energjetike të Kosovës dhe do të hapte rrugën për investime të reja amerikane në vend.

Në rajon, Shqipëria, Kroacia dhe Bosnjë e Hercegovina tashmë kanë ndërmarrë hapa drejt këtij projekti energjetik.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.