
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka theksuar se rivendosja e Dialogut Strategjik duhet të jetë prioritet kombëtar, derisa ka thënë se Kosova është e vetmja në Ballkan që po izolohet, shkruan KOHA.
Hoxhaj ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se kjo qeverisje po sjell dështime me pasoja serioze për shtetin.

Të premten Shtetet e Bashkuara thanë se janë në pritje të krijimit të kushteve për nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke theksuar se ato përfshijnë edhe përmbushjen e zotimeve të Prishtinës ndaj pakicës serbe.
“Dështimet që po sjellin pasoja serioze për Kosovën nuk janë më lajme të reja. Ato janë bërë një model qeverisjeje. Ndërsa vendi mbahet peng nga politika konfrontuese e Qeverisë Kurti, aleatët tanë strategjikë po thellojnë bashkëpunimin me Serbinë. Kosova ka humbur Dialogun Strategjik me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Serbia po e nis të vetin. Ky është një hap prapa me pasoja serioze për interesin tonë shtetëror”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Hoxhaj ka shtuar se pasojat do të reflektohen edhe në siguri, zhvillim ekonomik, investime të huaja, në sektorin energjetik e aftësinë e Kosovës për të avancuar drejt integrimit euroatlantik.
“Në politikën ndërkombëtare, çdo hap prapa krijon avantazh për dikë tjetër”, ka deklaruar Hoxhaj duke shtuar se “rikthimi i besimit me SHBA-në dhe rivendosja e Dialogut Strategjik duhet të jetë prioritet kombëtar”.
Shtetet e Bashkuara e kishin pezulluar për një periudhë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën qysh më 12 shtator 2025. Sipas vendimit të asaj kohe, kjo u bë për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës. E më 17 korrik, në Ëashington nisi procesi i Dialogut Strategjik mes SHBA-së dhe Serbisë.



