Eurisa Rukovci pas reagimeve për vajzat që qanë në koncertin e Yll Limanit: Pse burrat bën të qajnë e të bërtasin për futboll, ndërsa vajzat jo në një koncert? 

Aktivistja Eurisa Rukovci ka reaguar ndaj komenteve që pasuan publikimin e videove të vajzave që u emocionuan dhe qanë gjatë koncertit të Yll Limanit, duke kritikuar, sipas saj, standardet e dyfishta në gjykimin e grave dhe burrave.

Në një postim në Facebook, Rukovci tha se disa burra po gjykojnë vajzat dhe familjet e tyre për një moment emocional.

banner

“Paskan qajte disa cika në një koncert e tash ish angazhu brigada e burrave badihavxhi me vendos se ku kanë gabu nanat e tyre e pse s’i kanë eduku qysh duhet”, ka shkruar ajo.

Sipas Rukovcit, emocionet e burrave në ngjarjet sportive trajtohen ndryshe.

“Burrat bërtasin dej t’ju çahet fyti se 11 burra të tjerë e fusin 1 top në një gol. Ama, kjo osht kulturë sportive. Burrat qajnë, ju bjen t’fiket, djegin karriga, i rrehin gratë se s’ka fitu ekipa e tyne e preferume. Lotët për golat e Kombëtares së Argjentinës së largët janë të kuptueshëm. Lotët për një këngë nga një vajzë adoleshente janë emergjencë kombëtare që kërkon ndërhyrjen e çdo burri badihavxhi”, ka deklaruar ajo.

Rukovci ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas saj, trajtohen vajzat në hapësirën publike.

“Vajza kosovare lejohet të ekzistojë në publik ashtu siç lejohet një vazo: kur osht dekorative dhe në heshtje”, është shprehur ajo.

Në reagimin e saj, ajo ka cituar edhe shkrimtarin dhe kritikun e artit John Berger, duke argumentuar se gratë vazhdojnë të gjykohen për pamjen, sjelljen dhe emocionet e tyre.

Në fund, Rukovci ka thënë se nuk e sheh si problem faktin që disa vajza qanë në koncert, por reagimet ndaj tyre.

“Nuk është krizë morale. Kriza morale është i rrituri që e sheh një moment emocional të një cike dhe ndjen nevojë ta poshtërojë, ta seksualizojë ose ta vlerësojë si ‘bashkëshorte të ardhshme’. Gratë e vajzat nuk kanë nevojë për lejen tuaj që të jenë intensive, dramatike, të emocionuara apo edhe qesharake. Ato janë tu e jetu jetën dhe emocionet e veta; ju jeni tu u marrë me to. Kush osht patetiku në këtë rast?”, ka përfunduar ajo.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.