
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Kryeqyteti ka ndërprerë marrëveshjen me BIRN Kosovën për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel, duke thënë se reagimi i drejtoreshës së organizatës, Jeta Xharra, lidhur me rastin e profilit anonim “Lule Gjeli”, nuk ka dhënë përgjigje për çështjet që ai i kishte ngritur.
Rama tha se deklarata e Xharrës, sipas së cilës “e dimë kush është, por nuk e tregojmë”, ka ngritur edhe më shumë pikëpyetje.

“Jeta Xharra nuk paske dhënë asnjë sqarim për çështjen thelbësore. Përkundrazi, reagimi si i tillë ngriti edhe më shumë pikëpyetje. Deklarata se ‘e dimë kush është, por nuk e tregojmë’ është pikërisht ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese. Nëse identiteti dihet, atëherë shtrohet një pyetje e thjeshtë: Kënd po e mbroni?”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, përderisa këto pyetje mbesin pa përgjigje, Kryeqyteti nuk mund të vazhdojë bashkëpunimin sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
“Prandaj, sot ju kemi dërguar njoftimin zyrtar për ndërprerjen e marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel”, tha ai.
Rama shtoi se nuk mund të lejohet që hapësirat publike të shfrytëzohen nga organizata që, sipas tij, cenojnë interesin publik dhe refuzojnë transparencën për çështje që lidhen me besimin e qytetarëve.
Ai paralajmëroi gjithashtu se në ditët në vijim Kryeqyteti do të rishqyrtojë edhe marrëveshjet e tjera për shfrytëzimin e hapësirave publike që janë ndarë ose financuar nga Komuna e Prishtinës.



