
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rizgjedhjes në krye të partisë, duke deklaruar se vendimi i delegatëve duhet të shërbejë si pikë bashkimi për LDK-në.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku tha se, ndonëse e kishte konsideruar Kuvendin e jashtëzakonshëm të panevojshëm, të dëmshëm dhe të ngutshëm, tani e pranon me përulësi verdiktin e delegatëve.

“Në LDK, fjala e fundit i takon gjithmonë anëtarësisë. Mbrëmë ajo foli”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai theksoi se LDK-ja duhet të mbetet e anëtarësisë dhe u shpreh mirënjohës si për ata që e mbështetën, ashtu edhe për ata që votuan ndryshe.
“Tani, më ndihmoni të gjithë, të bashkojmë këtë shtëpi; dhe nga këtu të bashkojmë dhe gjithë Kosovën”, ka shkruar ai.
Abdixhiku shtoi se LDK-ja ka nevojë për bashkim, ndërsa Kosova për stabilitet institucional, institucione funksionale dhe një politikë që vendos interesin shtetëror mbi çdo llogari tjetër.
“Mbrëmë mbyllëm një kapitull. Sot fillojmë punën, së bashku”, ka përfunduar ai.



