Sveçla konfirmon gjetjen e një varri tjetër masiv në Zubin-Potok

Ministri në detyrë i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se pas zbulimit të mbetjeve mortore në një varr masiv në Kalludër të Zubin-Potokut, të dielën, në fshatin Jabukë të kësaj komune është gjetur një varr tjetër masiv me mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. 

“Pas gjetjes së mbetjeve mortore në një varr masiv në Kalludër të Zubin-Potokut, ku ende po vazhdojnë kërkimet dhe gjurmimet, sot, vetëm 10 kilometra më tutje, në fshatin Jabukë të po kësaj komune, u gjet edhe një varr tjetër masiv me mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Falënderoj Policinë e Kosovës, njësitë përkatëse për hetimin e krimeve të luftës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorinë e Kosovës për punën e ndërmarrë në drejtim të hulumtimit, hetimit dhe identifikimit të këtyre lokacioneve”, ka shkruar Sveçla. 

banner

Sveçla në një postim në Facebook ka thënë se Serbia po vazhdon të mbetet e njëjta si ajo në kohën e Sllobodan Millosheviqit, si në formë ashtu edhe përmbajtje. Ai ka thënë se në njërën anë Serbia nuk po jep informacione për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, e në anën tjetër po i kërcënon dhe burgos qytetarët serbë që bashkëpunojnë në gjetjen e varreve masive. 

“Serbia vazhdon të mbetet e njëjtë si në kohën e Millosheviqit, jo vetëm përmes figurave si Aleksandar Vuçiqi dhe Ivica Daçiqi. Vuçiq ishte numri dy i Sheshelit, Daçiq ishte numri dy i Millosheviqit e Vulin numri dy i Mira Markoviqit. Të tre këta janë ende në pushtet në Serbi dhe ky shtet nuk ka ndërruar asgjë. Serbia vazhdon të mbetet e njëjta në formë dhe në përmbajtje. Ky shtet, në njërën anë, refuzon të japë informacione për personat e zhdukur, të marrë me dhunë, ndërsa, në anën tjetër, kërcënon dhe burgos qytetarët e saj që bashkëpunojnë për gjetjen e këtyre varreve. Po ashtu, ajo glorifikon përmes memorialeve brigada si ajo 37, pjesëtarët e së cilës janë përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë”, ka shkruar Sveçla. 

Ai u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të dënojnë dhe ndëshkojnë sjelljet e Serbisë. 

“Ftoj partnerët ndërkombëtarë të dënojnë dhe ndëshkojnë ashpër këtë sjellje të Serbisë. Pa një gjë të tillë jo që do të jetë i pamundur çfarëdo hapi drejt të drejtësisë, por ky shtet do të cenojë çdo ditë paqen në Ballkanin Perëndimor.   Megjithatë, pavarësisht kësaj, ne mbetemi të përkushtuar dhe të palëkundur për të gjurmuar çdo pëllëmbë, në mënyrë që të zbardhim fatin e secilit person të vrarë dhe zhdukur nga shteti serb gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të sjellim para drejtësisë secilin kriminel përgjegjës për krimet e asaj kohe”, ka shkruar Sveçla. 

Të martën në Kalludër të Vogël u zbulua një varr masiv. Dyshohet se ndodhen mbetjet mortore të 23 civilëve shqiptarë nga Mitrovica, të njohur si “grupi i intelektualëve”. Ata ishin rrëmbyer më 19 prill 1999. Tash e 27 vjet fati i tyre nuk është zbardhur plotësisht.

Tre të dyshuar janë arrestuar në Zubin-Potok gjatë javës për krime lufte. 

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.