
Ka vdekur profesori dhe veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili e ka përshkruar Kryeziun si intelektual të shquar, veprimtar të hershëm dhe shërbyes të institucioneve të Kosovës.

“Kosova sot humbi një intelektual të shquar, një veprimtar të orëve të para dhe një shërbyes të përkushtuar të institucioneve të saj. Lidhja Demokratike e Kosovës humbi njërën prej figurave të saj më të rëndësishme, ndërsa Prizreni një prej personaliteteve që e përfaqësoi dhe e udhëhoqi me dinjitet”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka kujtuar se Kryeziu ishte pjesë e brezit themeltar të LDK-së dhe bashkëpunëtor i afërt i presidentit Ibrahim Rugova.
“Profesor Eqremi ishte pjesë e brezit themeltar të LDK-së dhe bashkudhëtar i palëkundur i Presidentit Rugova. Për më shumë se dy dekada udhëhoqi Degën e LDK-së në Prizren, shërbeu si nënkryetar i parë i LDK-së, deputet e kryetar i Komunës së Prizrenit në vitet e para e më të vështira të lirisë”, ka shkruar ai.
Sipas Abdixhikut, Kryeziu ishte “profesor, intelektual e veprimtar politik me mendim të lirë, fjalë të drejtpërdrejtë dhe karakter të veçantë”.
“LDK-së i dha vite të tëra angazhimi, besnikërie dhe shërbimi; Kosovës i shërbeu në arsim, në politikë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike”, ka shtuar kryetari i LDK-së.
Abdixhiku u ka shprehur ngushëllime familjes Kryeziu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve të Prizrenit.
“Profesor Eqrem, faleminderit për gjithë kontributin dhe gjurmën që le pas.
Pusho në paqe!
I përhershëm qoftë kujtimi për ty!”, ka përfunduar Abdixhiku.



