
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, ka folur për humbjen e dy djemve të tij, Arbnorit dhe Astrit Deharit, duke thënë se asnjëherë nuk e ka besuar versionin se ata kanë kryer vetëvrasje.
Në një intervistë për emisionin “Pressing One”, Dehari ka thënë se humbja e dy djemve ka qenë një goditje e rëndë për familjen, ndërsa ka vlerësuar se rrethanat e vdekjeve të tyre kanë qenë të ndryshme.

Duke folur për vdekjen e Arbnorit, Dehari ka kritikuar punën e Prokurorisë.
“Arbnori ra prej katit të pestë të banesës. Fatkeqësia më e madhe është që Prokuroria nuk e ka bërë punën që duhet ta bënte dhe i ka lënë këto raste të hapura. Kur lihen rastet e hapura, dyshimet pastaj rriten gjithqysh. Pastaj, edhe sikur të mos jetë ashtu, ki të drejtë të mendosh”, është shprehur Dehari.
I pyetur nëse kishte besuar ndonjëherë në versionin e vetëvrasjes, ai është përgjigjur:
“Jo, asnjëherë. As për Arbnorin, as për Astritin”, ka thënë ai.
Dehari ka folur edhe për rastin e Astrit Deharit dhe politizimin e tij ndër vite. Ai ka thënë se përgjegjësinë nuk ua atribuon qeverive, por sistemit të drejtësisë.
“Unë mendoj, edhe më herët, edhe tash, nuk është faj i qeverive , por është faj i drejtësisë, i sistemit prokurorial”, ka thënë Dehari.
Dehari ka treguar se ndër gjërat që e kishin prekur më së shumti pas vdekjeve të tyre ishin edhe komentet që, sipas tij, përpiqeshin t’i lidhnin rastet me një prirje “gjenetike”.
“Bile ka pas zëra që thonin edhe për babën tim që e kanë vra në burg, kanë thënë gjenetikisht e kanë…”, ka deklaruar Dehari.
Dehari ka shprehur gjithashtu bindjen e tij personale për mënyrën se si kanë vdekur dy djemtë.
“Besoj se është vrarë Arbnori dhe Astriti”, ka deklaruar ai.



