Robertson: Formojini institucionet, pranojeni cilido që të jetë verdikti i Gjykatës Speciale

Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, ka thënë se nuk ka pasur kurrë një kohë më të mirë për unitet kombëtar në Kosovë sesa tash. Në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, Robertson ka folur për rrezikun që mund të ketë vendi nga mosformimi i institucioneve. Ndërsa ka thënë se duhet të pranohet cilido qoftë verdikti i Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së pasi thotë se e ardhmja e Kosovës ka rëndësi, jo historia e saj.

Ish-shefi i NATO-s, Lord George Robertson, ka alarmuar për pasojat që mund të ketë zvarritja e formimit të institucioneve në Kosovë.

Në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ai ka thënë se paraliza politike në vend u shërben vetëm armiqve të Kosovës.

banner

Ish-sekretari Robertson ka thënë se nuk ka pasur kurrë një kohë më të mirë për unitet kombëtar sesa në momentin e tanishëm.

“Nuk kam asnjë dyshim në mendjen time se paraliza aktuale në Kosovë ndihmon vetëm armiqtë e Kosovës, ndihmon Serbinë me fushatën e saj dashakeqe kundër pavarësisë së Kosovës. Dhe për këtë arsye, njerëzit në Kuvendin e Kosovës dhe partitë politike të Kosovës duhet të pranojnë se bota e jashtme po shikon dhe po shikon gjithçka që po ndodh brenda vendit tuaj”, ka theksuar Robertson.

Përveç situatës politike në vend, Robertson i cili ka qenë edhe sekretar i Mbrojtës i Britanisë së Madhe gjatë luftës në Kosovë ka folur edhe për procesin e gjykimit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ai ka bërë thirrje që të pranohet cilido që të jetë verdikti i kësaj gjykate.

“Çfarëdo vendimi që del nga Dhomat e Specializuara, njerëzit nuk duhet t’u japin mbështetje, ndihmë dhe inkurajim armiqve të Kosovës jashtë. Ata duhet ta pranojnë vendimin, cilido qoftë ai vendim, dhe të sigurohen që ne të ecim përpara. Është e ardhmja e Kosovës që ka rëndësi, jo historia e saj”, ka deklaruar Robertson.

Sipas tij, vendimi i Dhomave të Posaçme nuk e minon përpjekjen që NATO e kishte bërë në ‘99 për të shpëtuar njerëzit e Kosovës nga veprimi i tmerrshëm i Millosheviqit dhe paramilitarët që ai i dërgoi këtu.

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka folur edhe për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe aspektet e tjera të sigurisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

Intervistën e plotë me ish-sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lord George Robertson, mund ta ndiqni sonte në “Interaktiv” nga ora 22:50.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.