BE-ja para 16 shtatorit: Vendimi i Speciales duhet të respektohet nga të gjitha palët

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë procedurat gjyqësore dhe vendimin që Dhomat e Specializuara të Kosovës pritet ta shpallin më 16 shtator në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Thirrja e Brukselit vjen katër ditë para shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë dhe në ditën kur në Prishtinë mbahet “Marshi për Liri” në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së.

banner

“Në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në çështjen e Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë procedurat gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimin”, thuhet në përgjigjen e BE-së për Gazetën Express.

BE-ja ka ritheksuar mbështetjen për Dhomat e Specializuara, të cilat i ka cilësuar si “një institucion gjyqësor të pavarur”, duke rikujtuar se ato janë themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015.

“Parlamenti i Kosovës, përmes një amendamenti kushtetues, autorizoi zhvendosjen e procedurave në Hagë, për të ndihmuar në garantimin e procedurave gjyqësore të pavarura, të paanshme dhe të drejta në lidhje me pretendimet për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë”, thuhet më tej.

Brukseli ka theksuar se vendimi i 16 shtatorit nuk do të paraqesë domosdoshmërisht fundin e procesit, pasi aktgjykimi i shkallës së parë mund të apelohet si nga mbrojtja, ashtu edhe nga Prokuroria.

“Ashtu si në të gjitha procedurat e tjera gjyqësore, ndaj aktgjykimeve të shkallës së parë mund të ushtrohet ankesë si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria”, ka deklaruar BE-ja.

Sipas Bashkimit Evropian, puna e Dhomave të Specializuara është e rëndësishme për llogaridhënien dhe për njohjen e përvojave të viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës.

Ndërkohë, sot nga ora 14:00 në Prishtinë mbahet një marsh paqësor në mbështetje të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, ku pritet pjesëmarrje e qytetarëve nga e gjithë Kosova.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.