
Shefit të Drejtorisë së Policisë Kriminale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Marko Kriçak, dhe drejtuesit të Shërbimit për Luftimin e Krimit, Boshko Sekuloviq, u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh për shkak të veprimeve të tyre në rastin e njohur si “Senjaku”, shkruan Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.
Kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviq, njoftoi të dielën se Kriçak dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim të dhunës fizike ndaj një personi të lidhur me këtë rast.
Ndërkaq, Sekuloviq dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Të dy pritet të merren në pyetje nga Prokuroria e Lartë Publike, ndërsa kallëzimi penal ndaj tyre do të publikohet së shpejti.
“M.K. dhe B.S. janë privuar nga liria mëngjesin e 1 nëntorit, nën dyshimin se nga 12 maji deri më 3 qershor 2026, si persona zyrtarë, përmes tejkalimit dhe keqpërdorimit të pozitës, si dhe moskryerjes së detyrës zyrtare, i kanë shkaktuar dëm dhe ia kanë cenuar rëndë të drejtat të dëmtuarit V.M., ish-shef i Policisë së Beogradit”, deklaroi Stefanoviq.
Sipas tij, këto veprime dyshohet se lidhen me hetimin e vrasjes së rëndë të A.N., të kryer më 12 maj në restorantin “27”.
Prokuroria dyshon gjithashtu se më 16 maj, Kriçak, së bashku me disa policë ende të paidentifikuar, e ka keqtrajtuar dhe torturuar personin me inicialet N.L. në ambientet e Drejtorisë së Policisë Kriminale.
Stefanoviq theksoi se arrestimet nuk kanë lidhje me procesin apo rezultatet e zgjedhjeve parlamentare. Sipas tij, hetimet paraprake për këtë rast kishin nisur në maj, pasi ishte konstatuar pengim i punës së prokurorëve përgjegjës.
Marko Kriçak e drejtoi Policinë Kriminale të Serbisë për pak më shumë se një vit, ndërsa më parë ishte drejtues i Njësisë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve.
Emri i tij u bë i njohur për opinionin pasi studentja Nikolina Sinxheliq e akuzoi për kërcënime dhe brutalitet policor gjatë protestave të vitit të kaluar. Ajo kishte paraqitur edhe kallëzim penal ndaj tij.



