
Kongresmeni amerikan Keith Self ka reaguar në prag të vendimit në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së në Hagë, duke shprehur shqetësimin se paragjykimet politike mund të ndikojnë në vendimmarrje.
Self ka thënë se, sipas tij, nga Haga po shfaqet një prirje e vazhdueshme për lejimin e ndikimit politik në vendime.

“Një temë e vazhdueshme që po del nga Haga duket se është lejimi që paragjykimet politike të ndikojnë në vendimet e tyre. Shpresoj që njëanshmëri e tillë të mos shfaqet këtë javë, kur të merret vendimi në gjykimin e Hashim Thaçit dhe tre civilëve shqiptarë që luftuan për pavarësi pas vitesh të shtypjes serbe”, ka shkruar Self.
Ai ka paralajmëruar edhe për ndjeshmërinë e situatës në Ballkan, duke thënë se rajoni mbetet i ekspozuar ndaj përpjekjeve për nxitjen e ndarjeve.
“Ballkani është një fuçi baruti në një rajon ku regjimet shtypëse nuk do të dëshironin asgjë më shumë sesa t’i frynin flakëve të përçarjes, në vend që të punonin drejt pajtimit”, ka shkruar ai.



