
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, mban përgjegjësi historike në raport me Gjykatën Speciale po aq sa deputetët që e kanë votuar themelimin e saj.
Molliqaj në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se nuk është ndërmarrë asnjë hap nga kjo Qeveri së paku për të monitoruar nëse po respektohen të drejtat e njeriut për të akuzuarit në Hagë.

Ai ka thënë gjithashtu se edhe shërbimet shëndetësore atje janë dhënë me vonesë, derisa ka specifikuar një rast, që siç ka thënë Molliqaj, një i arrestuar ka humbur të gjithë dhëmbët nga infeksioni pikërisht për shkak të kësaj vonese.
“Vetëvendosja mban përgjegjësi historike po aq sa ata që e kanë votuar. Asnjë organizim ndërkombëtar nuk e ka kontraktuar përmes Kuvendit t’i monitorojë së paku të drejtat e njeriut. Atje shërbimet shëndetësore i kanë marrë me vonesë. A e dini që njëri nga të arrestuarit, kur kam shkuar unë, i ka humbur të gjithë dhëmbët nga infeksionet. Këtu në burgjet e Kosovës nuk ndodh kjo”, ka thënë Molliqaj.



