
Gjykata Kushtetuese ka vendosur se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë “Kurti 4” nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën. Ajo ka konstatuar gjithashtu se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor 2026.

Në vendimin e saj, Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas skadimit të afatit prej 30 ditësh. Megjithatë, sipas Gjykatës, kalimi i këtij afati ka pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, në rastin kur posti është vakant, si dhe për formimin e Qeverisë.
Gjykata ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Në të njëjtin vendim, Kushtetuesja ka vlerësuar se deputetët duhet, sa më parë, të zgjedhin edhe nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, që është Partia Demokratike e Kosovës (PDK

“Të konstatojë që vendimi i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Kushtetuesja ka refuzuar gjithashtu kërkesën për masë të përkohshme.
Vendimi është marrë pas dy kërkesave të PDK-së, përmes të cilave kjo parti kishte kontestuar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Më 13 shtator, në mungesë të deputetëve të PDK-së dhe Aleancës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë votuan për konstituimin e Kuvendit, por pa zgjedhur nënkryetarin nga radhët e PDK-së.
Më vonë gjatë së njëjtës ditë, Kuvendi votoi edhe Qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti.



