
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bërë thirrje që të vazhdohet me reagime të qeta pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Pas takimit të zhvilluar të mërkurën me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, Hargreaves ka thënë se kanë diskutuar për reagimet pas vendimit të Dhomave te Specializuara të Kosovës dhe nevojën për përfundimin sa më të shpejtë të procesit të formimit të institucioneve.
Në një deklaratën e lëshuar pas takimit, Hargreaves tha se diskutimi u përqendrua te rëndësia e ruajtjes së qetësisë dhe dinjitetit në reagimet ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara.
“Diskutuam rëndësinë e vazhdimit të reagimeve të qeta dhe dinjitoze ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ne gjithashtu theksuam nevojën për të përfunduar shpejt formimin e institucioneve, në mënyrë që Kosova të mund të fokusohet në ofrimin e shërbimeve për qytetarët e saj dhe në avancimin e objektivave tona të përbashkëta ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Në njoftimin e lëshuar nga LDK-ja për këtë takim është thënë se aty u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend dhe procesin e konstituimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.



