
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, i ka bërë thirrje Qeverisë që ta procedojë sa më shpejt në Kuvend Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Sipas Grudës, koha për trajtimin e kësaj nisme është e kufizuar, pasi ekziston mundësia që legjislatura aktuale të shpërndahet brenda pak ditësh.
“Jemi këtu për të kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta sjellë Ligjin për Specialen në Kuvend për miratim. Kanë mbetur pak ditë kur edhe mund të shpërndahet, me gjasë, ky Kuvend”, ka deklaruar Gruda.
Ai ka thënë se Kuvendi nuk duhet të shpërndahet pa e trajtuar nismën për ndryshimin e ligjit, të cilën PDK-ja e ka proceduar ditë më parë.
“Nuk i falet skenës politike që një Kuvend që është i konstituuar të shpërbëhet pa trajtuar ndoshta ligjin më të rëndësishëm, për ta miratuar një ligj që mbron historinë e Kosovës”, ka thënë ai.
Gruda e ka cilësuar nismën si ligj për mbrojtjen e UÇK-së dhe ka kërkuar që partitë politike të veprojnë së bashku.
“Është një ligj për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë duhet ta bëjmë bashkë”, ka deklaruar Gruda.



