
Deputeti Fahrush Rexhepi ka reaguar pas incidentit të ndodhur pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, duke thënë se është përballur me një “akt të turpshëm dhe të papranueshëm” nga disa prej protestuesve të mbledhur para Kuvendit.
Rexhepi ka thënë se ngjarja e ka prekur edhe për shkak të kontributit që, sipas tij, ai dhe familja e tij kanë dhënë në luftën e UÇK-së dhe në rrugën drejt lirisë së Kosovës.
“Nuk po shkruaj vetëm si deputet i Republikës së Kosovës. Po shkruaj si njeri që ka kaluar nëpër periudha të ndryshme të historisë së këtij vendi dhe që, bashkë me familjen time, kemi dhënë kontributin tonë në luftën e UÇK-së dhe në rrugën e gjatë të lirisë së Kosovës”, ka shkruar Rexhepi.
Ai ka thënë se veprime të tilla nuk i bëjnë nder Kosovës, sakrificës së popullit dhe as personave që aktualisht ndodhen në Hagë.
“Nuk i bëjnë nder as atyre që sot ndodhen në Hagë dhe që po përballen me një proces të rëndë”, ka deklaruar ai.
Rexhepi ka bërë të ditur se disa nga personat e identifikuar pas incidentit kanë kërkuar takim me të për t’i kërkuar falje, por ka theksuar se kjo nuk do ta mbyllë rastin.
“Kërkimi i faljes është zgjedhje personale e secilit, por kjo nuk e mbyll rastin. Edhe urdhërdhënësi i sulmit tash veç se dihet”, ka shkruar ai.
Deputeti ka paralajmëruar se rastin do ta ndjekë përmes institucioneve të rendit dhe drejtësisë.
“Rastin do ta procedoj tutje në organet kompetente të rendit dhe drejtësisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Rexhepi.
Në fund, ai ka falënderuar qytetarët për thirrjet, mesazhet dhe mbështetjen pas incidentit.



