
Bashkëkryetarët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Manastir, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit, shkruan Gazeta Politika.
Mexhiti ka publikuar pamje nga takimi, duke bërë të ditur se me Kurtin kanë diskutuar për çështjet që prekin shqiptarët në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit.
“Një kafe në Manastir, mes takimeve të 22 Nëntorit, e pimë në shoqërinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ishte kënaqësi që, në një ditë kaq të ngjeshur, gjetëm kohë të uleshim bashkë e të flisnim më shtruar”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka thënë se me kryeministrin Kurti kanë gjithmonë tema për të diskutuar, veçanërisht lidhur me raportet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Me kryeministrin Kurti kemi gjithmonë çfarë të diskutojmë. Për çështjet që na prekin në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut, për lidhjet mes nesh dhe për punët ku mund të bëjmë më shumë bashkë. Pikërisht në këtë ditë, takimet e tilla kanë edhe më shumë vlerë”, ka deklaruar Mexhiti.



