
Fitore Pacolli, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka njoftuar se janë ndaluar garat me motoçikleta në disa zona të malit Mokne.
Pacolli ka shkruar se parqet kombëtare nuk janë pista për gara.
Postimi i plotë:
Parqet tona kombëtare nuk janë pista për gara të automjeteve off-road!
Inspektorati i Mjedisit në bashkëpunim me Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ishin sot në terren në disa lokalitete të Malit Mokna në Istog, përfshirë Moknën, Lugun e Butë dhe Corrovodën, në të gjitha zonat ku frekuentojnë përdoruesit e motoçikletave, me qëllim të parandalimit të qarkullimit të pakontrolluar të automjeteve off-road jashtë rrugëve të lejuara.
Qarkullimi i pakontrolluar i mjeteve motorike dëmton vegjetacionin, shkakton erozion të tokës, shqetëson kafshët e egra, ndot mjedisin përmes gazrave të shkarkimit, zhurmës dhe mbeturinave, si dhe cenon ekuilibrin natyror të këtyre ekosistemeve.
Vlerat natyrore të Moknës dhe të gjithë Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” duhet të mbrohen. Nuk do të lejojmë që zonat tona natyrore të shndërrohen në pista për gara të cilat dëmtojnë mjedisin.
Gjatë këtij aktiviteti janë shqiptuar vërejtje për shkeljet e evidentuara. Kontrollet nga inspektorati do të vazhdojnë, ndërsa ndaj shkelësve do të ketë masa ligjore.



