BE-ja kundër votimit të Ligjit për Specialen: Kosova po bie ndesh me obligimet ndërkombëtare

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim lidhur me votimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se ky veprim bie ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.

Në një përgjigje për KOHËN, një zëdhënës i BE-së ka theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për punën dhe pavarësinë e Dhomave të Specializuara.

“BE-ja ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që vepron brenda sistemit juridik të Kosovës dhe që është i përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës. Mandati dhe pavarësia e tyre aktuale duhet të respektohen plotësisht”, thuhet në përgjigje.

Sipas zëdhënësit, Dhomat e Specializuara po ushtrojnë mandatin e tyre mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës po japin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale”, thuhet tutje.

BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që të respektojë obligimet ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara.

“I bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe përkushtimin për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.