
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, pas marrjes së detyrës në vizitën e parë të saj ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.
Në një komunikatë për media thuhet se në Prekaz, Shiroka-Pula nderoi sakrificën sublime të familjes Jashari dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari.
“Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, tha Presidentja.
Gjatë homazheve te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, bëhet e ditur se ajo vlerësoi urtësinë dhe vizionin me të cilin ai e udhëhoqi Kosovën në një nga periudhat më vendimtare të historisë së saj.
“Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, theksoi ajo.
Te varri i veprimtarit Adem Demaçi, ajo nderoi jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se ai ia kushtoi një jetë të tërë lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës.
“Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, u shpreh ajo.
Siç thekson komunikata, Shiroka-Pula theksoi se nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, i sakrificës, vizionit dhe qëndresës së brezave.



