
Gazetari dhe publicisti Xhemail Mustafa kishte shkruar për Albin Kurtin gjatë kohës kur ai po gjykohej nga regjimi serb, duke e vendosur figurën e tij në vazhdimësinë historike të qëndresës shqiptare, shkruan Gazeta Politika.
Në shkrimin “Leksionet e Albin Kurtit”, Mustafa ndalet te qëndrimi i Kurtit para gjykatës serbe dhe te admirimi i tij për veprimtarin Adem Demaçi.
Ai nuk nxirrte përfundime të ngutshme, por theksonte se asgjë nuk ishte e rastësishme dhe se ekzistonte një lidhje e brendshme ndërmjet ngjarjeve dhe proceseve historike.
“Por, në vend të çfarëdo përfundimi të shpejtë, po mjaftohemi me parimin e njohur se asgjë nuk është e rastit dhe se ekziston një rend i brendshëm i rreptë i gjërave dhe i proceseve”, shkruante Mustafa.
Sipas tij, historia e shqiptarëve kishte qenë kryesisht histori e qëndresës, sakrificës dhe heroizmit, ndërsa Albin Kurti po bëhej pjesë e kësaj vazhdimësie.
“Nuk ka si të jetë i rastësishëm, prandaj, as fakti se historia e shqiptarëve, siç thamë në fillim, kryesisht është histori e qëndresës, e sakrificës dhe e heroizmit. Për fatin tonë të keq, kjo histori do të jetë e këtillë edhe për një kohë të gjatë dhe në këtë plan ekziston një kontinuitet i fuqishëm dhe i paracaktuar në shumë dimensione. Albin Kurti po bëhet pjesë e këtij kontinuiteti dhe inspirues i tij potencial”, shkruante Mustafa.
Shkrimi është botuar në librin “Vepra 5” të Xhemajl Mustafës, me titull “Leksionet e Albin Kurtit”, në faqet 35–41.



