
Avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leutrim Syla ka bërë të ditur se me vendimin e Gjykatës së Apelit, i cili vërtetoi dënimin me burgim të përjetshëm për Naim Murselin, është hapur rruga për betejën e radhës që familja e Liridona Ademajt, të marrë kujdestarinë e fëmijëve të saj, shkruan KOHA.
Syla në emisionin “tre8tre” në KTV, ka thënë se kjo kërkesë nga ana e familjes Ademaj është bërë edhe më herët, por që është kushtëzuar me vendimin e Apelit.
“Vendimi i Apelit është edhe fundi i një fillimi për shkak se me këtë vendim nis edhe beteja për besimin e fëmijëve në familjen e Liridona Ademajt. Një kërkesë e tillë është bërë edhe më herët, por që ka qenë e kushtëzuar me vendimin e Gjykatës në Kosovë. Naim Murseli deri në vendimin e Gjykatës së Apelit pezumohej i pafajshëm, por tanimë veçse me vendimin e Gjykatës së Apelit duke e ditur që vendimi i shkallës së parë është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm, Naim Murseli mund të konsiderohet sipas ligjit fajtor për vrasjen e Liridona Ademajt, i dënuar me burgim të përjetshëm”, ka thënë Syla.
Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimet me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Në vendimin e publikuar të hënën, është vërtetuar edhe dënimi me 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën, po ashtu i pandehur në këtë rast.
Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës, teksa ishte në veturë me bashkëshortin, tani të dënuarin Naim Murseli dhe dy fëmijët.



