Aksion ndërkombëtar: Bastiset “call center”-i në Kosovë, shtatë të arrestuar për mashtrime online

Një qendër thirrjesh në Kosovë është bastisur në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër një rrjeti kriminal të dyshuar për mashtrime me investime online. Në aksionin e koordinuar nga Eurojust (Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale) dhe Europol-i janë kontrolluar 17 lokacione dhe janë sekuestruar mbi 100 serverë, ndërsa shtatë persona janë arrestuar me qëllim për t’u ekstraduar në Gjermani, e cila ka udhëhequr operacionin.

Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale (Eurojust) dhe Europoli kanë njoftuar se Kosova ka qenë një nga vendet ku është zhvilluar aksioni ndërkombëtar kundër një rrjeti kriminal që dyshohet se mashtronte qytetarë në mbarë botën përmes platformave të rreme të investimeve.

Sipas autoriteteve, humbjet e shkaktuara nga kjo skemë mashtrimi vlerësohen në mbi katër milionë euro, ndërsa viktimat potenciale janë nga rreth 50 shtete.

Sipas njoftimit të Eurojust-it dhe Europol-it, autoritetet kanë kontrolluar gjithsej 17 lokacione, përfshirë një qendër thirrjesh (call center) në Kosovë, e cila dyshohet se përdorej për të bindur viktimat që të investonin shuma të mëdha parash.

Gjatë operacionit janë sekuestruar më shumë se 100 serverë, si dhe prova dhe asete të tjera. Shtatë të dyshuar janë arrestuar me qëllim ekstradimit në Gjermani.

Në operacion kanë marrë pjesë edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përmes Sektorit për Hetime Financiare.

Hetimet zbuluan një kompani me bazë në Qipro dhe Izrael, e cila dyshohet furnizonte grupe të ndryshme kriminale me faqe interneti mashtruese për realizimin e mashtrimeve online.

“Autoritetet identifikuan gjithashtu klientë të dyshuar të kësaj kompanie në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilët dyshohet se operonin qendra të paligjshme të thirrjeve (call center). Aksioni u përqendrua te këta të dyshuar dhe te serverët që përdoreshin për aktivitetet e tyre kriminale. Në total, autoritetet kontrolluan 17 lokacione, përfshirë një qendër thirrjesh në Kosovë. Gjatë operacionit u sekuestruan më shumë se 100 serverë, së bashku me prova dhe asete të tjera”, thuhet në njoftim.

Skema funksiononte përmes platformave online që paraqiteshin si të ligjshme dhe premtonin fitime të mëdha nga tregtimi i kriptomonedhave, valutave të huaja dhe aksioneve.

Sipas njoftimit fillimisht, viktimat investonin shuma të vogla parash dhe në platformat përkatëse u shfaqeshin fitime të rreme, me qëllim krijimin e besimit. Më pas, thuhet se personat që paraqiteshin si ndërmjetës financiarë ushtronin presion psikologjik ndaj tyre për të investuar shuma edhe më të mëdha.

Kur viktimat kërkonin të tërhiqnin paratë, thuhet se mashtruesit përdornin taktika të ndryshme për të penguar tërheqjen e tyre, derisa përfundimisht zhdukeshin me paratë e investuara.

Hetimi sipas njoftimit ka nisur në vitin 2022, pas një ankese të një çifti gjerman, i cili kishte investuar kursimet përmes një platforme online, por nuk kishte arritur t’i tërhiqte fitimet.

Pas më shumë se katër vitesh hetime dhe disa aksioneve ndërkombëtare, thuhet se autoritetet arritën të identifikonin strukturën e rrjetit dhe personat e dyshuar për përfshirje në mashtrimet financiare.

Bashkëpunimi mes vendeve thuhet se ishte thelbësor në këtë operacion. Në kuadër të Eurojust-it ishin krijuar dy ekipe të përbashkëta hetimore, njëri prej të cilëve përfshinte autoritetet shqiptare dhe ato të Kosovës.

Europol-i dërgoi gjithashtu ekspertë në Kosovë dhe Shqipëri për të mbështetur hetimet digjitale dhe analizimin e provave të sekuestruara./KOHA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.