
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RrGGK) kanë raportuar në Policinë e Kosovës kërcënimet dhe kanosjet ndaj ish-gazetares dhe aktivistes feministe, Anita Nikaj.
Sipas njoftimit, Nikaj është paraqitur në Polici së bashku me drejtoren ekzekutive të AGK-së dhe përfaqësuesen e RrGGK-së, Getoarbë Mulliqi, si dhe juristin e AGK-së, Yll Zekaj. Ata kanë parashtruar kallëzim penal lidhur me kërcënimet që pretendohet se kanë qenë të vazhdueshme.
AGK-ja dhe RrGGK-ja kanë kërkuar që institucionet përgjegjëse ta trajtojnë rastin me seriozitet dhe urgjencë, si dhe t’i identifikojnë personat që qëndrojnë pas kërcënimeve.
“Linçimi publik, fushatat denigruese dhe kërcënimet nuk duhet të normalizohen”, thuhet në reagimin e tyre.
Të dyja organizatat kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë t’u qëndrojnë pranë anëtarëve të tyre dhe të reagojnë ndaj çdo forme të presionit, frikësimit, kërcënimit apo cenimit të sigurisë së gazetarëve dhe grave në hapësirën publike.



