
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka thënë se për pesë vjet e gjysmë Kosova ka shpenzuar 1 miliard e 55 milionë euro për blerjen e energjisë elektrike, shkruan KOHA.
Ramadani, gjatë debatit për energjinë në Kuvendin e Kosovës e cila u thirr me iniciativë të tyre, ka kërkuar nga Qeveria që të japë llogari për situatën në sektorin e energjetikës, duke kritikuar mungesën e planifikimit, vonesat në investime dhe mosrealizimin e objektivave.
“Për pesë vjet e 10 muaj, rryma është blerë edhe shumë, edhe shtrenjtë. 1 miliard e 55 milionë është blerë rrymë për këto pesë vjet e gjysmë. Me 1 miliard pothuajse ishte ndërtuar një termocentral. Dhe pyetja është pse nuk është ndërtuar?”, ka thënë Ramadani.
Ai ka kritikuar Qeverinë për vendimin për mbylljen e projektit të termocentralit të ri, duke thënë se kjo, sipas tij, e ka rritur varësinë e Kosovës nga importi i energjisë.



