
Ministri për Familjen dhe Vlerat e Luftës, Andin Hoti, ka reaguar ndaj raportimeve se Qeveria e Kosovës ua ka hequr statusin e dëshmorit disa personaliteteve të njohura, përfshirë Ahmet Krasniqin, Fehmi Aganin, Enver Malokun dhe Bajram Kelmendin.
Përmes një reagimi në Facebook, Hoti i ka mohuar kategorikisht këto raportime, duke i cilësuar si të pavërteta dhe manipuluese.
“Raportimet se Qeveria u ka hequr statusin e dëshmorit Ahmet Krasniqit, Fehmi Aganit, Enver Malokut, Bajram Kelmendit dhe personaliteteve të tjera janë të pavërteta dhe manipuluese!”, ka shkruar Hoti.
Ai ka sqaruar se as Ministria dhe as Qeveria nuk kanë marrë ndonjë vendim të tillë. Sipas tij, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit e ka përfunduar punën para shumë vitesh dhe nuk ekziston më si mekanizëm funksional.
“Të gjithë personat e përmendur vazhdojnë ta kenë statusin e dëshmorit dhe gëzojnë të drejtat pensionale sipas legjislacionit në fuqi. Asnjërit prej tyre nuk i është hequr statusi apo e drejta në pension!”, ka theksuar ministri.
Hoti ka kritikuar edhe mediat që kanë publikuar dhe shpërndarë këto pretendime, duke thënë se nuk kanë kërkuar sqarime nga Ministria përpara publikimit.
“Ky nuk është gazetari, as raportim dhe as informim. Ky është dezinformim dhe manipulim i rëndë i opinionit publik!”, ka deklaruar ai.
Çfarë raportoi Gazeta Paparaci?
Reagimi i ministrit vjen pasi Gazeta Paparaci raportoi se Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit e Veteranit ishte mbledhur të enjten, më 12 nëntor, dhe kishte marrë vendim për heqjen e statusit të mbi tre mijë personave.
Sipas raportimit të Paparacit, në mesin e personave të cilëve u ishte hequr statusi ndodheshin edhe 11 dëshmorë, përfshirë ish-ministrin e Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës në ekzil, Ahmet Krasniqin.
Kjo media raportoi se në listë figuronin edhe Fehmi Agani, bashkëpunëtori i ngushtë i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Enver Maloku, ish-drejtori i Qendrës për Informim të Kosovës, si dhe avokati Bajram Kelmendi me dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin.
Paparaci pretendoi se kishte siguruar dosjen e plotë të personave të larguar nga lista.
Megjithatë, ministri Andin Hoti i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke këmbëngulur se asnjërit prej personaliteteve të përmendura nuk i është hequr statusi i dëshmorit apo e drejta në pension.



