
Ish-deputeti Gani Geci u ka bërë thirrje disa prej zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës që, siç është shprehur ai, të kthehen në rrugën politike të ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Në reagimin e tij, Geci u është drejtuar Avdullah Hotit, Hykmete Bajramit, Driton Selmanajt, Janina Ymerit dhe Përparim Ramës, duke u kërkuar që t’i mbrojnë dhe t’i respektojnë familjarët e veprimtarëve të vrarë të LDK-së.
“Ti, Avdullah Hoti! Ti, Hykmete Bajrami! Ti, Driton Selmani! Ti, Janina Imeri! Dhe ti, Përparim Rama! Kthehuni në rrugën e Presidentit Ibrahim Rugova!”, ka shkruar Geci.
Ai ka përmendur djemtë e Shaban Manajt, Ismet Racit, Smajl Hajdarajt, Tahir Zemajt – komandant Drinit – dhe Xhemajl Mustafës, si dhe Fetah Rudin e Ahmet Krasniqin.
“Nëse dëshironi respektin dhe besimin e elektoratit të LDK-së, fillimisht duhet të tregoni respekt për ata që kanë paguar çmimin më të rëndë për LDK-në dhe për idealet e Presidentit Rugova”, ka shkruar ai.
Geci u ka kërkuar zyrtarëve të LDK-së që të mos i mbrojnë dhe përkrahin personat që, sipas pretendimeve të tij, i kanë kërcënuar, sharë dhe sulmuar veprimtarët e kësaj partie.
“Duke vepruar kështu, nuk po e dëmtoni vetëm LDK-në, por edhe veten tuaj”, ka përfunduar Geci.



