Kajtazi i kundërpërgjigjet ministrit Hoti, publikon dokumente: Kur t’i publikoj të gjitha, a do të vazhdosh të rrish ministër?

Drejtori i Gazetës Paparaci, Vehbi Kajtazi, i është kundërpërgjigjur ministrit për Familjet e Dëshmorëve dhe Vlerat e Luftës, Andin Hoti, pasi ky i fundit i cilësoi si të pavërteta raportimet se Qeveria ua ka hequr statusin e dëshmorit disa personaliteteve të njohura.

Kajtazi ka publikuar disa dokumente që mbajnë emërtimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit, Invalidit, Veteranit dhe Pjesëtarit të Luftës së UÇK-së, ku figurojnë emrat e disa personaliteteve, përfshirë Fehmi Aganin, Enver Malokun, Bajram Kelmendin dhe dy djemtë e tij.

Sipas Kajtazit, lista me emra i është dërguar ministrisë që drejtohet nga Hoti, ndërsa ka paralajmëruar publikimin e dokumenteve të tjera që, sipas tij, dëshmojnë pretendimet e gazetës.

“Ministër, lista me emra, siç shihet këtu, ka shkuar nga Komisioni Qeveritar në ministrinë që drejton ti. Të gjitha i kam me dëshmi dhe do t’i publikoj”, ka shkruar Kajtazi.

Ai ka pretenduar se Ministria ka pranuar urdhra me shkrim për largimin nga pensioni dhe statusi të personave që figurojnë në listë.

“Keni marrë urdhra me shkrim, siç shihet në korrespondencë, për t’i hequr nga pensioni dhe nga statusi të gjithë ata që figurojnë në listë. Aty përfshihen krejt stafi i Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, krejt stafi i Fondit ‘Vendlindja Thërret’, krejt veteranët e UÇPMB-së, si dhe 11 dëshmorë, me Ahmet Krasniqin në krye të listës”, ka deklaruar ai.

Kajtazi e ka përfunduar reagimin me një pyetje drejtuar ministrit Hoti.

“Kur t’i publikoj të gjitha këto, a do të vazhdosh të rrish ministër?”, ka shkruar drejtori i Paparacit.

Çfarë dekleroi ministri Hoti?

Më herët, ministri Andin Hoti kishte mohuar kategorikisht raportimet e Paparacit, duke i cilësuar si manipulim të rëndë të opinionit publik.

Ai kishte deklaruar se as Ministria dhe as Qeveria nuk kanë marrë vendim për heqjen e statusit të dëshmorit Ahmet Krasniqit, Fehmi Aganit, Enver Malokut, Bajram Kelmendit dhe personaliteteve të tjera.

Sipas Hotit, Komisioni Qeveritar e ka përfunduar punën para shumë vitesh dhe nuk ekziston më si mekanizëm funksional.

Ministri kishte këmbëngulur se të gjithë personat e përmendur vazhdojnë ta gëzojnë statusin e dëshmorit dhe të drejtat pensionale sipas legjislacionit në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.