Vajza e Xhemail Mustafës: Për të burgosurit ka shpresë se do të lirohen, por për të vrarët nuk ka më kthim

Beriana Mustafa, vajza e gazetarit dhe veprimtarit politik Xhemail Mustafa, e ka kujtuar të atin në 26-vjetorin e vrasjes së tij, duke kërkuar drejtësi për krimin që vazhdon të mbetet i pazbardhur, shkruan Gazeta Politika.

Ajo e ka nisur reagimin me një krahasim prekës ndërmjet shpresës së të burgosurve për t’u kthyer një ditë në liri dhe humbjes së pakthyeshme që lë pas vrasja e një njeriu.

“Për të burgosurit ekziston gjithmonë shpresa se një ditë do të hapen dyert e qelisë dhe do ta prekin sërish lirinë. Por për të vdekurit nuk ka më kthim, nuk ka më përqafim, nuk ka më një ditë të nesërme…”, ka shkruar ajo.

Mustafa ka thënë se edhe pas 26 vjetësh, dhimbja dhe mungesa e babait të saj nuk janë zbehur, ndërsa pyetjet për vrasjen vazhdojnë të mbeten pa përgjigje.

“26 vjet pa ty, babë. 26 vjet pritje, dhimbje dhe një drejtësi që nuk erdhi kurrë. Koha kalon, por plagët nuk mbyllen. Mungesa jote nuk zbehet, ndërsa pyetjet për vrasjen tënde vazhdojnë të mbeten pa përgjigje”, ka deklaruar ajo.

Vajza e Xhemail Mustafës ka theksuar se atij mund t’ia kenë marrë jetën, por jo edhe të vërtetën, kujtimin dhe trashëgiminë që la pas.

“Mund të të kenë marrë jetën, por nuk mund ta vrasin të vërtetën, kujtimin dhe trashëgiminë tënde.

LIRIA E KA EMRIN TËND, XHEME!

E drejtësia për ty mbetet borxhi ynë i pashlyer”, ka përfunduar Beriana Mustafa.

Xhemail Mustafa u vra më 23 nëntor 2000, në hyrje të banesës së tij në lagjen Dardania të Prishtinës. Edhe 26 vjet pas vrasjes, autorët dhe urdhërdhënësit e saj nuk janë dënuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.